Çmimi i biletës së urbanëve mund të rritet nga 1 Janari, operatorët kërkojnë TVSH 6%
Operatorët e transportit publik në Shqipëri kanë pezulluar përkohësisht shërbimin e tyre në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimeve të parashikuara në paketën fiskale për vitin 2027, duke kërkuar një normë të TVSH-së prej 6% për transportin publik.

Operatorët e transportit publik në Shqipëri kanë pezulluar përkohësisht shërbimin e tyre në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimeve të parashikuara në paketën fiskale për vitin 2027. Ata kërkojnë që transporti publik të përfshihet në shportën e produkteve dhe shërbimeve bazë, me një normë të TVSH-së prej 6%, njësoj si produktet ushqimore.
Përfaqësuesit e sektorit argumentojnë se ky shërbim nuk është luks, por një domosdoshmëri për qytetarët që e përdorin për të shkuar në punë, shkollë apo për nevojat e përditshme. Ata kanë paraqitur kërkesat e tyre edhe në Komisionin e Ekonomisë, ku kanë argumentuar kostot dhe mundësitë për aplikimin e një norme më të ulët tatimore në këtë sektor.
Një prej përfaqësuesve të sektorit theksoi se pezullimi i sotëm nuk është një masë e ndërmarrë për të penguar qytetarët të përdorin shërbimin, por një reagim për të parandaluar rritjen e çmimit të biletës nga 1 janari. Ai shtoi se kjo është hera e parë që sektori ndërmerr një pezullim të plotë të shërbimit, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për pasojat që mund të sjellë ndryshimi i TVSH-së.
Përfaqësuesit e sektorit kanë dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës, ku argumentojnë se përfshirja e transportit publik në kategorinë me TVSH të reduktuar do të kishte një kosto të përllogaritur prej rreth 4 milionë eurosh, ndërsa ndryshimet në pragun e TVSH-së do të sillnin një efekt kompensues. Ata kanë kujtuar gjithashtu se edhe gjatë krizave të mëparshme financiare kanë ndjekur fillimisht rrugët institucionale, duke iu drejtuar ministrive përkatëse dhe duke kërkuar mbështetje për përballimin e rritjes së kostove, veçanërisht të karburantit.