Wesley Sneijder shet kujtimet e tij sportive për të rikuperuar të ardhura
Ish futbollisti holandez Wesley Sneijder po shet objektet e tij përkujtimore sportive, duke përfshirë fanellën e Sergio Ramos dhe Topin e Argjendtë të Botërorit 2010, pasi u bë viktimë e një mashtrimi.

Wesley Sneijder, ish mesfushori i Interit dhe përfaqësueses holandeze, ka nisur të shesë objektet e tij përkujtimore sportive. Midis objekteve që janë shitur është edhe fanella e Sergio Ramos, e cila u shkëmbye në finalen e Botërorit 2010 dhe u ble nga një tifoz brazilian për rreth 65 mijë euro.
Sneijder ka shitur edhe objekte të tjera përkujtimore, duke përfshirë Topin e Argjendtë të Botërorit 2010 për 19 mijë euro, medaljen e bronztë të Botërorit 2014 për 6500 euro, topin me të cilin Holanda eliminoi Brazilin në çerekfinale të Kupës së Botës 2010 për 6100 euro dhe medaljen e pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës 2014 për 1024 euro.
Mendohet se Sneijder e ndërmori këtë hap për të rikuperuar të ardhura, pasi u bë viktimë e një mashtrimi me pasuritë e patundshme në Turqi.