"Koka" e grabitësve të kasafortave në Tiranë, mbetet në burg
Gjykata e Durrësit ka vendosur që 51-vjeçari Arjan Rapi, i dyshuar për vjedhjen e një apartamenti në lagjen nr. 4 të Durrësit, të mbetet në burg deri në përfundim të hetimeve.

Arjan Rapi, i njohur si "koka" e grabitësve të kasafortave në Tiranë, u arrestua të dielën nga Policia e Durrësit dhe tani mbetet në burg deri në përfundim të hetimeve. Ai është i dyshuar për vjedhjen e një apartamenti në lagjen nr. 4, nga ku janë marrë 22 mijë euro, 800 mijë lekë dhe sende luksoze.
Vjedhja e kryer pa thyerje u zbulua nga nëna e pronarit të banesës, i cili jeton jashtë vendit. Gruaja, që kujdesej për banesën, konstatoi mungesën e sendeve me vlerë dhe parave dhe njoftoi menjëherë policinë, e cila e arrestoi pas verifikimeve të kryera. Në pranga përfundoi edhe një 24-vjeçare nga Lushnja, e dyshuar nga policia si bashkëpunëtore e Rapit.
Gjykata caktoi për të masën "arrest në shtëpi", ndërsa për 51-vjeçarin "arrest në burg". Sipas hetimeve, sendet e vjedhura ishin dërguar në banesën e 24-vjeçares, ku policia gjeti një pjesë të tyre. Ndërkaq në shtëpinë e Rapit në lagjen 13 të Durrësit u sekuestruan maska, çelësa dhe veshjet që dyshohet se u përdorën gjatë vjedhjes. Hetimet për rastin vijojnë.