SPAK dërgon në gjyq Igli Kamberin dhe 9 të tjerë për pastrim parash nga trafiku i narkotikëve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në gjyq 10 të pandehur, përfshirë Igli Kamberin, për pastrim parash nga trafiku i lëndëve narkotike.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal kundër 10 të pandehurve, përfshirë Igli Kamberin, për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.
Të pandehurit janë akuzuar për kryerjen e veprave penale në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal". Hetimet për këtë procedim penal janë kryer në Shqipëri dhe Itali nga një Skuadër e Përbashkët Hetimore, mes SPAK dhe Prokurorisë DDA të Barit, Itali, me mbështetjen e Eurojust.
Gjatë hetimit është dokumentuar aktiviteti kriminal i kryer nga shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilët duke vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer vepra penale si trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, vrasje me dashje, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal i tregtimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të Italisë, janë transportuar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar nga pjesëtarët e grupit, me qëllim pastrimin dhe mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre.