Hetimi i SPAK: Transaksionet në Austri dhe dëshmia e të penduarës kundër Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit
SPAK ka nisur një hetim të ri kundër deputetes Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi dhe ish-këshilltarit të Olta Xhaçkës, Ardit Hysa, për korrupsion dhe pastrim parash.

Një hetim i SPAK ka çuar në hapjen e dosjeve të tjera hetimore, përfshirë atë të deputetes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi. Provat fillestare që kanë shërbyer për hapjen e këtyre çështjeve janë disa komunikime dhe shënime të zbuluara në kompjuterin dhe telefonin e sekuestruar të Adela Kondakçit, financieres personale të Ajola Xoxes.
Adela Kondakçi, sot bashkëpunëtore e SPAK, ka pasur marrëdhënie pune me financat e ish-kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro. Pikërisht nga kjo çështje penale e Jorgo Goros, SPAK shoi tek Adela Kondakçi dhe më pas "kapërcyu" tek dosja e Erjon Veliaj, Ajola Xoxes, Arbër Veliaj dhe tashmë ka depërtuar tek një seri transaksionesh bankare që lidhen me çiftin e bashkëshortëve, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.
Disa shënime të sekuestruara në kompjuterin e financieres Adela Kondakçi dhe komunikime në telefonin e saj tregojnë për disa pagesa monetare që lidheshin direkt me deputeten e PS, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi. Këto materiale kanë sjellë nisjen e një hetimi të ri për korrupsion dhe pastrim parash, ndaj deputetes Olta Xhaçka, Artan Gaçi si dhe personave të tjerë, përfshirë dhe Ardit Hysën, ish-këshilltar i Olta Xhaçkës në periudhën kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Lidhur me këtë çështje, SPAK ka marrë dhe dëshminë e Adela Kondakçit, e cila ka qenë nën hetim për dosjen Veliaj, duke treguar detaje për shënimet e mbajtura prej saj të pagesave në lekë, për llogari të çiftit. Duke u mbështetur në këto prova, 1 muaj më parë SPAK ftoi në prokurorinë e posaçme çiftin e bashkëshortëve Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, të cilëve u është komunikuar akuza e "Korrupsionit pasiv" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Në këtë histori del edhe emri i Ardit Hysës, i cili dyshohet se mund të ketë shërbyer si ndërmjetës për interesa të lidhura me çiftin Xhaçka-Gaçi, përfshirë veprime financiare në Vjenë. Dyshimi lidhet me rolin e tij të dikurshëm pranë ministres dhe me pistën austriake të hetimit. Transaksionet e dyshuara në Austri kapin qindra mijëra euro dhe i përkasin periudhës kur Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një skemë korrupsioni në tenderat me procedurë sekrete për blerje armatimi dhe municioni nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.