Hakerët sulmojnë FIFA-n, pretendojnë vjedhjen e mbi 12 GB të dhëna
Organizata drejtuese e futbollit botëror, FIFA, është bërë objekt i një sulmi kibernetik, ku persona të paautorizuar kanë siguruar akses në informacione personale dhe biznesi. Grupi kriminal HBHC pretendon se ka marrë dokumente financiare, ligjore dhe të dhëna identiteti, por këto pretendime ende nuk janë verifikuar.

FIFA ka konfirmuar se sistemet e saj janë sulmuar dhe se persona të paautorizuar kanë arritur të depërtojnë në sistemet e saj dhe të sigurojnë akses në një sasi të kufizuar informacionesh personale dhe biznesi. Organizata po bashkëpunon me autoritetet përkatëse, përfshirë policinë, për të hetuar incidentin.
Grupi kriminal kibernetik i njohur si “Handsome Boy Hacking Club” (HBHC) pretendon se ka vjedhur më shumë se 12 GB të dhëna nga FIFA dhe se ka tentuar ta shantazhojë organizatën, por pa arritur qëllimin. Sipas grupit, materialet e marra përfshijnë dokumente identiteti dhe imigracioni, informacione financiare, dokumente ligjore dhe të dhëna mbi drejtimin e institucionit.
FIFA e cilësoi ngjarjen si një sulm kriminal kibernetik dhe dënoi marrjen dhe publikimin e paligjshëm të informacioneve, veçanërisht të të dhënave personale. Megjithatë, institucioni nuk dha detaje mbi kohën kur ndodhi sulmi dhe as mbi natyrën e saktë të materialeve që mund të jenë komprometuar.
Ky nuk është rast i parë që FIFA përballet me probleme të tilla. Në vitin 2017, një sulm kibernetik i atribuuar grupit rus Fancy Bear çoi në publikimin e dokumenteve që lidhen me testet antidoping të futbollistëve. Edhe futbolli europian ka qenë objekt i sulmeve të ngjashme, duke përfshirë arrestimin e një 35-vjeçari të dyshuar për ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike të klubit Ajax.