Studentët themelojnë partinë e re "Të Bashkuar për Shqipërinë"
Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin "Të Bashkuar për Shqipërinë", e cila synon të ofrojë një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës dhe të bashkojë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar.

Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin "Të Bashkuar për Shqipërinë". Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate për shtyp, në të cilën nismëtarët bëjnë me dije se kjo parti vjen si rezultat i bashkimit të të rinjve, atdhetarëve dhe profesionistëve.
Studentët deklaruan se partia do të ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës dhe synojnë të bashkojnë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar. Gjatë prezantimit të nismës, studentët bënë të ditur se në javët në vijim do të zbresin në qytete dhe fshatra të vendit, ku përmes takimeve me qytetarët synojnë të ndërtojnë programin politik të partisë së re.
Kufizimi i mandateve të drejtuesve, eliminimi i privilegjeve për themeluesit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje ishin disa prej angazhimeve të bëra publike gjatë prezantimit të kësaj nisme. Studentët ftuan shqiptarët të bashkohen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e partisë, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne.