Tragjedi në Itali: Foshnjë e lindur para kohe vdes pas aksidenti të shkaktuar nga grabitës
Një foshnjë e lindur para kohe ka vdekur në spital pasi nëna e saj 22-vjeçare u përplas nga një makinë e grabitësve në Itali.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Trevisos në Itali, ku një foshnjë e lindur para kohe ka ndërruar jetë në spital. Vogëlushja lindi më 14 nëntor, në muajin e tetë të shtatzënisë, përmes një lindjeje urgjente, pasi nëna e saj 22-vjeçare mbeti e plagosur në një aksident rrugor në Spresiano, në provincën e Trevisos.
Sipas hetimeve paraprake, automjeti ku udhëtonte e reja u përplas nga një makinë në të cilën dyshohet se ndodheshin disa persona të përfshirë në vjedhje, të cilët po tentonin t’i shpëtonin policisë. Nga hetimet ka rezultuar se automjeti i përdorur prej tyre ishte marrë me qira në Romë, duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Prokuroria e Trevisos ka nisur hetimet për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia në aksident rrugor, deri më tani ndaj personave të paidentifikuar. Presidenti i rajonit të Venetos, Alberto Stefani, ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke e cilësuar ngjarjen si një rast që përveç dhimbjes, shkakton edhe zemërim e indinjatë.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës për aksidentin tragjik. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në nivel institucional, me thirrje për gjithë forcën e ligjit të zbatohet ndaj personave që kanë shkaktuar këtë tragjedi.