Huthitët sulmojnë infrastrukturën saudite të naftës, Riadi intensifikon bombardimet në Jemen
Forcat Huthite të Jemenit dhe Arabia Saudite kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave strategjike të njëra-tjetrës, duke përfshirë rafineritë e naftës, portet dhe infrastrukturën ekonomike.

Forcat Huthite të Jemenit dhe Arabia Saudite kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave strategjike të njëra-tjetrës, duke përfshirë rafineritë e naftës, portet dhe infrastrukturën ekonomike, në një përshkallëzim të ri të konfliktit mes dy palëve. Një predhë goditi një rafineri nafte në rajonin Jazan, në jugperëndim të Arabisë Saudite, duke shkaktuar vdekjen e një punëtori nga Nepali dhe plagosjen e disa personave të tjerë.
Goditja shkaktoi zjarr në objekt dhe detyroi pezullimin e përkohshëm të një pjese të operacioneve. Sulmi ndodhi një ditë pasi Huthitët morën përgjegjësinë për një goditje ndaj rafinerisë Ras Tanura, një prej objekteve më të rëndësishme të industrisë saudite të naftës. Pamjet satelitore treguan një re të madhe tymi të zi që ngrihej mbi kompleksin industrial të Ras Tanuras, pas raportimit për sulmin.
Zëdhënësi ushtarak i Huthitëve, Yahya Saree, deklaroi se goditjet ishin “të sakta dhe të drejtpërdrejta”, duke pretenduar se kishin shkaktuar zjarr në objekt. Nga ana tjetër, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar dhe shkatërruar katër dronë mbi zonën e Ras Tanuras, në provincën lindore të mbretërisë. Koalicioni saudit deklaroi se “shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve dhe objekteve civile nga milicia terroriste Huthite do të marrë një përgjigje të vendosur”.