Reshje shiu të gjitha ditën e premte
Parashikimi i motit për ditën e premte parashikon reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët dhe reshje me intensitet mesatar deri të lartë në jug.

Ditën e premte, Shqipëria do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, duke sjellë mot me vranësira dhe reshje shiu. Reshjet e shiut priten të jenë të pranishme që në orët e para të ditës në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët. Në zonën jugore, reshjet e shiut priten të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Gjatë ditës, reshjet e shiut me intensitet të ulët do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në jug do të ketë reshje shiu me intensitet mesatar e herë-herës deri të lartë, në formën e rrebesheve afatshkurtra. Në lartësinë mbi 1100 metra në veri-verilindje, pritet të ketë reshje bore me intensitet të ulët. Era do të ketë drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi 7m/s, ndërsa përgjatë bregdetit do të jetë deri 15m/s. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 2-4 ballë.