Sekuestrohen mbi 900 gramë kokainë në Tiranë, arrestohet 34-vjeçari që dyshohet se e shiste pranë shkollave
Policia e Tiranës ka sekuestruar mbi 900 gramë kokainë dhe ka arrestuar një 34-vjeçar që dyshohet se e shiste pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.

Në kuadër të operacionit "Shkolla të Pastra", Policia e Tiranës ka sekuestruar mbi 900 gramë kokainë dhe ka arrestuar një 34-vjeçar që dyshohet se e shiste pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin tip "Toyota Yaris" dhe një celular të 34-vjeçarit, i cili dyshohet se transportonte lëndën narkotike me automjet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.
Gjatë operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë gjetur një pako me 505.6 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë në automjetin e 34-vjeçarit, ndërsa në banesën e tij janë gjetur 397 gramë të së njëjtës lëndë.
Lënda narkotike dyshohet se ishte siguruar me qëllim shitjen në afërsi të shkollave dhe ambienteve të tjera që frekuentohen nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.