Afati i fundit për apelimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbaron afati për dorëzimin e njoftimit për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot përfundon afati për dorëzimin e njoftimit për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan nga Gjykata Speciale në Hagë. Mbrojtja e tyre ka paralajmëruar kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, duke i cilësuar dënimet e dhëna si të padrejta.
Sipas procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas njoftimit për apel, palët duhet të dorëzojnë argumentet e tyre brenda afateve të përcaktuara. Për këtë proces parashikohet një afat prej 60 ditësh për dosjen e apelit, ndërsa kur kundërshtohet vetëm masa e dënimit, afati është 30 ditë. Më pas, palët kanë mundësi të paraqesin përgjigjet dhe kundërpërgjigjet, ndërsa Gjykata e Apelit mund të vendosë edhe për mbajtjen e një seance dëgjimore.
Paneli i Apelit ka disa mundësi vendimmarrjeje: të lërë në fuqi aktgjykimin, ta ndryshojë ose ta shfuqizojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes. Në rastet kur apelimi bëhet vetëm nga të dënuarit, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.