Rama: Integrimi gradual, moment vendimtar për rajonin dhe Europën
Kryeministri Edi Rama ka cilësuar Samitin BE-Ballkani Perëndimor si një moment vendimtar për rajonin dhe Europën, duke theksuar nevojën për një qasje të re të integrimit gradual.

Kryeministri Edi Rama ka dhënë fjalën hyrëse në Samitin BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, duke cilësuar atë si një moment vendimtar për rajonin dhe Europën. Ai ka theksuar se ky samit është një qasje e re e integrimit gradual që bashkon rajonin rreth reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.
Rama ka vënë në dukje se pavarësisht progresit të shënuar vitet e fundit në afrimin ekonomik mes gjashtë vendeve të rajonit dhe BE-së, mbetet ende shumë punë për të bërë. Ai ka theksuar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë për të prekur përfitimet konkrete.
Kryeministri ka nënvizuar se mbështetja financiare dhe integruese e BE-së kushtëzohet drejtpërdrejt nga rezultatet konkrete dhe zbatimi i reformave. Ai ka thënë se "Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën".