Vizioni Strategjik i Shqipërisë në Kontekstin e Krizës së Mesdheut
Shqipëria po ballafaqohet me një mundësi historike për të përcaktuar pozicionin e saj në rrjetet ndërkombëtare të energjisë, duke marrë parasysh konfliktet në Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë.

Një nga betejat përcaktuese të këtij shekulli po zhvillohet për kontrollin e burimeve energjetike, të korridoreve të transportit dhe të tregjeve të konsumit. Lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme po përshpejtojnë një riorganizim të ekonomisë botërore, në të cilin pozicioni i shteteve në rrjetet ndërkombëtare të energjisë do të ndikojë ndjeshëm në peshën e tyre politike dhe ekonomike.
Sulmi ukrainas ndaj një anijeje luftarake ruse në Bengazi të Libisë dhe pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar nuk duket se nxitën ndonjë debat të mirëfilltë strategjik ndërmjet elitave shqiptare. Debatet e brendshme politike kanë marrë përmasat e një konsumi intelektual që rrezikon të paralizojë aftësinë mendimprodhuese të elitave tona.
Turqia po demonstron aftësinë për të krijuar mundësi strategjike atje ku më parë dukeshin politikisht të pamundura. Afrimi me autoritetet e Libisë Lindore ndërlikon kalkulimet energjetike të Izraelit dhe ndryshon dinamikën e konkurrencës mesdhetare. Ndërkohë, Egjipti kërkon të ruajë rolin e tij në përpunimin dhe eksportimin e gazit, Greqia po ndërton kapacitete furnizimi që tejkalojnë nevojat e konsumit të brendshëm, ndërsa Italia po zgjeron partneritetet me vendet prodhuese të Afrikës Veriore.
Shqipëria disponon një avantazh që mund të zhvlerësohet nëse korridoret energjetike ndërtohen duke e anashkaluar. Projekti EastMed-Poseidon, itinerari kryesor i të cilit nuk përfshin territorin shqiptar, është ilustrues në këtë drejtim. Plani Dhjetëvjeçar i ALBGAZ-it 2026 deri në 2035 identifikon një alternativë për lidhjen e tij me TAP-in përmes Shqipërisë, ende në fazën e studimit paraprak.
Partneriteti strategjik shqiptaro-amerikan mund të marrë një përmbajtje shumë më të gjerë ekonomike nëpërmjet terminalit të projektuar të gazit të lëngshëm në Vlorë, integrimit me TAP-in, Gazsjellësit Jonian-Adriatik dhe depozitimit nëntokësor të gazit në Dumre. Sipas njërit prej skenarëve të ALBGAZ-it, vëllimi i gazit të transmetuar për eksport mund të arrijë në 2,64 miliardë metra kub në vitin 2035, ndërsa skenari financiar bazë parashikon rreth 530 milionë euro të ardhura të operatorit gjatë periudhës 2026 deri në 2044.