Qeveria Lancë dy Skema të Reja Kredie për Blerjen e Banesave
Qeveria po përgatit dy skema të reja kredie për blerjen e banesave, ku ajo do të marrë përsipër interesat dhe do të heqë parapagimin.

Qeveria shqiptare po përgatit dy skema të reja kredie për qytetarët që synojnë të blejnë një banesë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kanë zhvilluar një takim konsultues me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë për të diskutuar kushtet dhe mënyrën e zbatimit të këtyre programeve.
Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë, ku qeveria do të mbulojë të gjithë normën e interesit. Për këtë program është parashikuar një numër maksimal prej 2 mijë kredish. Synimi është që skema të ofrohet përmes bashkëpunimit me të gjitha bankat, duke përcaktuar një normë të përbashkët interesi dhe shmangur procedurat konkurruese për përzgjedhjen e institucioneve financiare.
Ndërkohë, skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro, ose rreth 20 milionë lekë. Në këtë rast, qytetarët përfiteur do të paguajnë vetëm 3% interes, ndërsa diferenca me normën e interesit të përcaktuar në marrëveshje me bankat do të subvencionohet nga qeveria.
Një prej ndryshimeve të diskutuara lidhet edhe me heqjen e detyrimit për parapagim. Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të i drejtohet Bankës së Shqipërisë për ndryshimin e rregullores dhe vendimit përkatës, me qëllim përjashtimin e këtyre dy produkteve të kreditimit nga ky detyrim.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe çështja e kolateralit, veçanërisht për banesat që janë ende në proces ndërtimi dhe nuk janë regjistruar në kadastër. Për këtë qëllim, po punohet për ndryshime në legjislacionin për zhvillimin e territorit, të cilat synojnë të mundësojnë pajisjen e ndërtuesve me certifikimin përkatës që në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit dhe regjistrimin e tij në kadastër.
Një tjetër instrument që po shqyrtohet është krijimi i një mekanizmi garancie për të mbuluar diferencën mes vlerës së vlerësuar të banesës dhe çmimit të shitjes. Kjo mund të realizohet përmes një marrëveshjeje me Bankën Shqiptare të Zhvillimit.