Shqipëria mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit në BE në 2028
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një afat të mundshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke thënë se Shqipëria mund të jetë shumë pranë përmbylljes së procesit vitin e ardhshëm dhe Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një afat të mundshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo u shpreh se, nëse reformat japin rezultatet e kërkuara dhe vendet anëtare japin miratimin e tyre, Shqipëria mund të jetë shumë pranë përmbylljes së procesit vitin e ardhshëm, ndërsa Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028.
Kryeministri Edi Rama u pyet se përse Shqipëria ende nuk është bërë pjesë e Bashkimit Europian, pavarësisht progresit të bërë në procesin e integrimit. Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se anëtarësimi në BE nuk është një proces me një datë të paracaktuar, pasi kërkon dakordësinë e të 27 vendeve anëtare në çdo fazë. Ai gjithashtu kujtoi periudhën që e cilësoi si “tre vitet e poshtërimit”, kur sipas tij, Komisioni Europian certifikonte përmbushjen e detyrave nga Shqipëria, por një prej shteteve anëtare kundërshtonte avancimin e procesit.
Rama e cilësoi perspektivën europiane si një mundësi unike për modernizimin e vendit dhe transformimin e institucioneve. Ai theksoi se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveçse të vijojë procesin e integrimit dhe të përmbushë të gjitha detyrimet. Duke iu referuar ecurisë së vendeve të tjera të rajonit, kryeministri përmendi Maqedoninë e Veriut, e cila ka 20 vite që ka marrë statusin e vendit kandidat, si dhe ndryshimet në pozicionin e Shqipërisë kundrejt Serbisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit.