Kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në Vlorë për 28 dhe 29 Nëntorin
Policia e Vlorës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit në disa akse rrugore për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit.

Policia e Vlorës ka njoftuar se do të jenë në fuqi kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit të automjeteve në disa akse rrugore të qytetit, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit. Masat do të nisin prej orës 22:00 të ditës së sotme dhe do të jenë në fuqi deri në përfundim të aktiviteteve festive.
Kufizimet do të përfshijnë disa akse rrugore, duke përfshirë rrethrrotullimin, sheshin “Omonia”, Shkollën e Muzikës, kryqëzimin e Menës dhe rrugën për te “Hollidej”, ku nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në të dyja anët e rrugës. Gjithashtu, do të ndalohet parkimi në kryqëzimin që vjen nga “Hollidej” – agjencia “Ruci” – kryqëzimi i Kapeles, si dhe në aksi rrugor nga zona e L-së deri te kryqëzimi i Grevës.
Shërbimet e Policisë do të jenë të angazhuara në terren për menaxhimin e trafikut, orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve. Policia e Vlorës u bën apel qytetarëve të mirëkuptojnë masat e marra, të shmangin parkimin në akset e përcaktuara dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë.