Rregulla të reja për supermarketet: Ulja e TVSH-së duhet të reflektohet me 11.6% në çmimet e produkteve
Qeveria shqiptare ka propozuar një projektakt normativ për monitorimin e çmimeve dhe garantimin që përfitsimi nga ulja e taksës të shkojë te konsumatorët, duke përcaktuar se ulja e çmimeve nga supermarketet duhet të reflektohet me 11.6% pas hyrjes në fuqi të ligjit të TVSH me 6%.

Ndërsa dje në seancën e Kuvendit të Shqipërisë u diskutuan për miratim projektligjet e Paketës Fiskale, ku një prej çështjeve më të debatuara ishte ulja e TVSH-së nga 20% në 6% dhe reflektimi i kësaj mase me ndryshim çmimesh për 54 kategori produkteve ushqimore, qeveria llogarit se nga 1 janari 2027, pas ndryshimeve fiskale ulja e çmimeve duhet të reflektohet me 11.6%.
Ministria e Ekonomisë ka propozuar Projektaktin Normativ për monitorimin e çmimeve dhe garantimin që përfitsimi nga ulja e taksës të shkojë te konsumatorët. Projektakti Normativ përcakton se pas hyrjes në fuqi të ligjit të TVSH me 6%, ulja e çmimeve nga supermarketet duhet të reflektohet me 11.6%. Nëse ulja e çmimit është më e vogël se 10%, kjo do të shërbejë si kriter për nisjen e një verifikimi administrativ.
Gjatë kontrollit do të vlerësohen edhe ndryshimet e dokumentuara të kostove të furnizimit, transportit dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në çmim. Konkretisht, neni 4 i projektaktit normativ përcakton se operatorët ekonomikë kanë detyrimin të reflektojnë përfitsimin fiskal në çmimin efektiv të shitjes, duke filluar nga data e zbatimit të normës së reduktuar.
Projektakti përcakton se reflektimi i plotë i uljes së TVSH-së konsiderohet i realizuar kur çmimi efektiv i shitjes ulet me 11.6% kundrejt çmimit individual të referencës, në kushtet kur çmimi pa TVSH mbetet i pandryshuar. Një tjetër element i projektaktit është kontrolli i çmimeve para hyrjes në fuqi të TVSH-së së reduktuar. Gjatë periudhës 1-31 dhjetor 2026, rritjet e çmimeve mbi 5% kundrejt çmimit individual të referencës do të i nënshtrohen verifikimit për të identifikuar rritjet artificiale dhe të pajustifikuara.