Dy shqiptarë akuzohen për vjedhje në rezidencën e Princit William dhe Kate
Dy shtetas shqiptarë, Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku, janë akuzuar për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paautorizuar në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk, Britani.

Një person i dyshuar për vjedhje, i akuzuar për hyrjen me forcë në pronën e Princit dhe Princeshës së Uellsit, pretendohet se është një emigrant që ka mbërritur në Britani me gomone tri herë gjatë katër viteve të fundit. Arilen Ndoci, 32 vjeç, thuhet se ka mbërritur në Britani jo vetëm duke kaluar Kanalin Anglez me një gomone, por edhe në një rast tjetër duke udhëtuar me avion.
Ai dhe bashkëkombësi shqiptar Mirgen Doku, 34 vjeç, akuzohen për hyrjen me forcë në Anmer Hall, në Norfolk, dhe vjedhjen e gjashtë palëve manshetave dhe një ore nga shtëpia e William dhe Kate. Ministria e Brendshme britanike i ka përshkruar të dy personat si individë që qëndrojnë ilegalisht në Britani dhe që nuk kanë asnjë status emigracioni.
Sipas pretendimeve, ata kishin mbërritur për herë të fundit në Britani gjashtë muaj para vjedhjes së dyshuar. Policia u thirr në Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham të Mbretit, në Norfolk, pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë. Dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të pronës.
Princi William, Princesha Catherine dhe fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në banesën e tyre kryesore në Windsor në momentin e grabitjes. Ndoci dhe Doku dolën para Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, të akuzuar për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur.
Në gjykatë u tha se të dy të dyshuarit janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë ilegalisht në vend. Një i dyshuar i tretë vijon të jetë në kërkim. Gazeta The Sun ka raportuar tashmë se Ndoci ka hyrë ilegalisht në Britani të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit.
Departamenti deklaroi se Ndoci dhe Doku janë shtetas shqiptarë, të cilët nuk kanë leje të vlefshme qëndrimi apo autorizim për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, zyrtarët thanë se do të kërkojnë dëbimin e shtetasve të huaj që kryejnë vepra penale në rastin e parë të mundshëm.
Të dyshuarit, të cilët folën vetëm për të konfirmuar emrat dhe datëlindjet e tyre, u lanë në paraburgim dhe do të paraqiten sërish në të njëjtën gjykatë më 30 nëntor. Ata u asistuan nga një përkthyes i gjuhës shqipe përmes videolidhjes, megjithatë gjykata dëgjoi se Ndoci flet "anglishte të mirë".
Pallati Kensington nuk komenton çështjet e sigurisë, por konfirmoi se në momentin e ngjarjes asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ndodhej në pronë. Rezidenca dhjetëdhomëshe në Norfolk ishte një dhuratë martese për Princin dhe Princeshën e Uellsit nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II.