Sulm kibernetik ndaj Forcave Ajrore amerikane, hakerat depërtojnë në platformën e informatikës në re
Hakerat kanë depërtuar në Cloud One, një nga platformat më të mëdha të informatikës në re të ushtrisë amerikane, duke ngritur shqetësime për sigurinë e një sasie të madhe të dhënash ushtarake.

Hakerat kanë depërtuar në Cloud One, një nga platformat më të mëdha të informatikës në re të ushtrisë amerikane, duke ngritur shqetësime për sigurinë e një sasie të madhe të dhënash ushtarake. Lajmi është raportuar nga Reuters, duke cituar pesë persona të njohur me çështjen, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Ndërhyrja është zbuluar gjatë muajit të fundit, në kohën kur po punohej për përmirësimin e sistemit. Sipas burimeve, incidenti ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës, ndërsa ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, sa i gjerë ka qenë depërtimi dhe nëse janë vjedhur të dhëna.
Cloud One u krijua në vitin 2017 për të bashkuar në një platformë të vetme shërbimet teknologjike të Forcave Ajrore amerikane. Sistemi mbështetet në infrastrukturën e kompanive Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet dhe përdoret për dhjetëra aplikacione, përfshirë ato që menaxhojnë të dhënat e personelit, pagat, logjistikën dhe mirëmbajtjen ushtarake.
Mes sistemeve që funksionojnë përmes Cloud One janë edhe platforma që mbledh të dhëna nga radarët e mbrojtjes ajrore në Amerikën e Veriut, si dhe një sistem që gjurmon bombat dhe raketat në më shumë se 200 baza dhe vendndodhje të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën. Pas zbulimit të ndërhyrjes, në hetime është përfshirë edhe Komanda Kibernetike e ushtrisë amerikane (Cyber Command), e cila po vlerëson përmasat e dëmit.
Sulmi ka sjellë edhe kufizime në përdorimin e platformës. Sipas burimeve të Reuters, është pezulluar kalimi i disa aplikacioneve administrative drejt Cloud One, ndërsa janë bllokuar përditësimet e aplikacioneve që funksionojnë tashmë në të. Kjo ka penguar personelin e Forcave Ajrore të instalojë përditësime dhe të korrigjojë dobësitë e sigurisë. Disa përdoruesve u janë hequr gjithashtu të drejtat e administratorit.
Një nga burimet i tha Reuters se sulmuesit mund të kenë shfrytëzuar një dobësi në programet kompjuterike për të depërtuar në të ashtuquajturin “control plane”, pjesa qendrore që menaxhon dhe kontrollon funksionimin e platformës. Megjithatë, nuk është konfirmuar se cilat të dhëna apo sisteme mund të jenë aksesuar.
Forcat Ajrore amerikane, në një reagim për Reuters, deklaruan se nuk komentojnë gjendjen e sigurisë apo dobësitë e sistemeve specifike, por theksuan se marrin vazhdimisht masa për mbrojtjen e informacionit dhe kapaciteteve të tyre operacionale. Ky incident vjen në një periudhë kur institucionet amerikane po përballen me disa sulme të tjera kibernetike të zbuluara së fundmi, përfshirë ndërhyrje që kanë prekur FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Thesarit.