Shqipëria mund të mbyllë procesin e anëtarësimit në BE deri në 2030
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të mbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke vlerësuar progresin e vendit në përmbushjen e reformave dhe kushteve të kërkuara nga BE-ja.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se Shqipëria mund të mbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat kanë përfituar më shumë fonde nga Plani i Rritjes, si rezultat i përmbushjes së detyrimeve dhe reformave të përcaktuara.
Kos theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian do të jetë e hapur për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, por përparimi do të vlerësohet në bazë të meritave dhe rezultateve konkrete. Ajo deklaroi se Shqipëria mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në vitin 2028, por përmbushja e reformave dhe vijimi i progresit mbeten vendimtare për realizimin e këtij objektivi.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, por nënvizoi se procesi nuk varet vetëm nga puna e vendit tonë, pasi vendimi përfundimtar kërkon dakordësinë e të 27 shteteve anëtare. Rama deklaroi se qeveria shqiptare nuk kërkon favore apo dhurata nga Bashkimi Europian, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet e përcaktuara në procesin e negociatave.