Ilir Meta: Vendimi për vjehrrën time është i pavlefshëm
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dënimit të ish-vjehrrës së tij, Fatime Kryemadhi, duke e quajtur vendimin e pavlefshëm nga ana procedurale.

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar një ditë pas dënimit të ish-vjehrrës së tij, Fatime Kryemadhi, për pastrim parash. Meta e quan të pavlefshëm nga ana procedurale këtë vendim. Ai ka shprehur mendimin e tij përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se vendimi i GJKKO për tre personat e pretenduar që kanë bashkëpunuar me të ka zero vlerë procedurale.
GJKKO ka dhënë vendimet e para për personat e përfshirë në dosjen ndaj Ilir Metës. Për ish-vjehrrën e tij, Fatime Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash, dënimi u dha me 7 vite e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul në 5 vite dhe në përfundim u konvertua në 2 vite shërbim prove. Gjithashtu, asaj i ndalohet të mbajë kontakte me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.
Fajtore u gjet edhe Ema Çoku, me akuzën për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në përfundim, ajo mori masën e shërbimit të provës, me kusht që për 2 vite e 8 muaj të mos kryejë vepër penale, si dhe detyrimin për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore. I pafajshëm u shpall Piro Xhixho, i akuzuar për korrupsion. GJKKO hoqi çdo masë që ishte vendosur ndaj tij. Trupa gjykuese rrëzoi gjithashtu kërkesën për konfiskimin e pasurisë së Fatime Kryemadhit. Procesi ndërkaq vijon me procedurën e zakonshme, me përballjen e provave me Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.