Qeveria miraton ndryshimet për dëmet gjatë protestave: Organizatorët mbajnë përgjegjësi financiare
Qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve, duke përcaktuar që organizatorët e protestave të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet.

Një ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Ky akt parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet të mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët e protestave, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9.
Sipas aktit të ri normativ, shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autori i dëmit nuk është identifikuar. Avokati i Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara, dhe nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve, mund të ngrihet padi në gjykatë.
Akti i ri normativ parashikon edhe mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik, nëpërmjet një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin. Vendimmarrja e qeverisë vjen pasi në orët e para të mëngjesit Kuvendi miratoi dy aktet normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.