Qeveria miraton akt normativ për kompensimin e dëmeve gjatë protestave
Qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës gjatë tubimeve, duke përcaktuar përgjegjësi financiare për organizatorët e protestave.

Një ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, qeveria ka miratuar një akt të ri normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Akti i ri normativ parashikon që përgjegjësi financiare për dëmet të mbajnë jo vetëm autorët e akteve të dhunës, por edhe organizatorët e protestave.
Sipas kushteve të përcaktuara në nenin 9, organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe në rastet kur autori i dëmit nuk është identifikuar. Avokati i Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumave të paguara, dhe nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve, mund të ngrihet padi në gjykatë.
Akti i ri normativ parashikon edhe mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik, nëpërmjet një marrëveshjeje vullnetare. Për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, ndërsa puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.