Marine Le Pen dhe sfida për Bashkimin Evropian
Marine Le Pen, liderja e së djathtës ekstreme në Francë, po shihet si sfida më serioze populiste me të cilën është përballur Bashkimi Evropian në historinë e tij, duke vënë në pikëpyetje mbështetjen për Ukrainën, politikat e migracionit dhe vetë projektin e integrimit evropian.

Marine Le Pen po shihet si sfida më serioze populiste me të cilën është përballur Bashkimi Evropian në historinë e tij. Nëse fiton zgjedhjet presidenciale në Francë, liderja e së djathtës ekstreme mund të përmbyset ekuilibrat politikë të bllokut, duke vënë në pikëpyetje mbështetjen për Ukrainën, politikat e migracionit, epërsinë e së drejtës evropiane dhe vetë projektin e integrimit evropian.
Gjatë një vizite të rrallë në Bruksel muajin e kaluar, Le Pen paralajmëroi 27 vendet anëtare që të mos arrijnë marrëveshje për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së përpara zgjedhjeve presidenciale franceze. Ajo e cilësoi një marrëveshje të tillë si "skandal demokratik", duke lënë të kuptohet se një qeveri e drejtuar prej saj nuk do ta pranonte lehtësisht.
Le Pen, e cila dikur kërkonte largimin e Francës nga Bashkimi Evropian, tashmë synon ta transformojë bllokun nga brenda. Ajo propozon një "Evropë të Kombeve", ku institucionet qendrore do të kishin më pak kompetenca dhe Komisioni Evropian do të reduktohej në një rol administrativ.
Zyrtarët evropianë kanë nisur të shqyrtojnë skenarët që mund të pasojnë një fitore të Le Pen. Sipas diplomatëve të BE-së, diskutimet përfshijnë edhe mënyrat se si legjislacioni evropian mund të përdoret për të kufizuar ose penguar zbatimin e disa prej planeve të saj.
Një nga planet më të debatueshme të Le Pen është organizimi i një referendumi kushtetues për të vendosur kufizime të gjera ndaj emigracionit dhe për të zbatuar parimin e "përparësisë kombëtare". Ky parim do t'u jepte qytetarëve francezë përparësi në përfithim të strehimit social, ndihmave dhe vendeve të punës.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund ta vendosë Francën në një konflikt të gjatë ligjor me Brukselin. Sipas Catherine Fieschi-t, eksperte e populizmit në Institutin Universitar Evropian në Firence, refuzimi për të paguar kontributet në buxhetin e BE-së dhe zbatimi i politikave të përparësisë kombëtare do të binin ndesh me traktatet evropiane.
Ukraina dhe marrëdhëniet me Rusinë janë një tjetër pikë e rëndësishme e përpleshjes. Le Pen ka premtuar se do të ndalojë ndihmën financiare për Kievin gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, duke argumentuar se Franca nuk mund ta përballojë më këtë shpenzim. Ajo ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të trajnimit ushtarak.