GoFundMe kthen paratë e dhuruara për Endrit Azemin që u arrestua për mashtrim
Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga një shtetas i Kosovës, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leuçemi akute.

Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga një shtetas i Kosovës, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leuçemi akute. Endrit Azemi ditë më parë u arrestua nën dyshime për veprën penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Sipas autoritetet në Kosovë, përmes GoFundMe, ai mblodhi 162.522 euro. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, GoFundMe tha se ka zero tolerancë për keqpërdorimin e kësaj platforme nga persona që tentojnë të keqpërdorin bujarinë e të tjerëve. “Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, tha GoFundMe.
Prokuroria Themelore në Gjilan pretendon se Endrit Azemi ka grumbulluar në total 189.206.8 euro. Pjesa më e madhe është mbledhur përmes GoFundMe, përkatësisht 162.522 euro, ndërkaq 26.684.8 euro u mblodhën në qytetin e Gjilanit. Ky institucion tha se pas informacioneve për dyshime për mashtrim, reagoi menjëherë dhe bllokoi të gjitha paratë që gjendeshin në llogaritë e evidentuara për rastin dhe e arrestoi të dyshuarin mbrëmjen e 21 nëntorit.