Italia shpreh shqetësim për sulmin ukrainas në Libi
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur shqetësimin e saj për operacionin ushtarak të Ukrainës në portin e Bengazit në Libi, duke e cilësuar atë si një shkelje të sovranitetit libian.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës i ka shprehur shqetësimin e Romës për operacionin ushtarak të Ukrainës në portin e Bengazit në Libi. Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme italiane, Meloni e ka konsideruar operacionin si një shkelje të sovranitetit libian, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë të zgjerojnë konfliktin përtej kufijve të Ukrainës dhe të ndikojnë në sigurinë e rajonit të Mesdheut.
Gjatë bisedës, kryeministrja italiane riafirmoi mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën dhe për përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë. Megjithatë, ajo theksoi se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e nismave që mund të vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit. Nga ana e tij, Zelensky pranoi se operacioni ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët. Sipas deklaratës së qeverisë italiane, presidenti ukrainas tha se i kuptonte shqetësimet e Romës dhe u zotua të mbante komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm, duke ndarë informacionet në dispozicion.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, kishte shprehur më herët pakënaqësinë e qeverisë së tij për sulmet ukrainase ndaj dy anijeve ruse në ujërat libiane. Në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, më 25 nëntor, Tajani deklaroi se Italia nuk ishte informuar paraprakisht për operacionin e Kievit dhe se sulmet në ujërat territoriale të Libisë, madje edhe brenda një porti, përbënin një gabim. “Ishte gabim të shkelej sovraniteti kombëtar i Libisë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte komunikuar edhe me homologun ukrainas, Andriy Sibiha, për t’i përcjellë shqetësimet e qeverisë italiane.