Kriza e thellë në Transnistri: Nga gazi rus falas te pasaportat ruse
Transnistria, një republikë separatiste që funksionon si shtet i pavarur de facto, po përjeton një krizë të thellë ekonomike pas ndërprerjes së furnizimit me gazin rus.

Transnistria, e njohur zyrtarisht si Republika Moldave e Pridnestrovisë, është një republikë separatiste që prej viteve 1990 funksionon si shtet i pavarur de facto, megjithëse komuniteti ndërkombëtar e njeh ende si pjesë të Moldavisë. Sot, ajo po përjeton një krizë të thellë ekonomike, të përkeqësuar nga ndërprerja e furnizimit me gazin rus, për të cilin për dekada nuk paguante.
Rrugët e Benderit, qytetit të dytë më të madh të Transnistrisë, fillojnë të zbrazen me rënien e natës. Pas festimeve të Ditës së Pavarësisë, kur për disa ditë në fillim të shtatorit u rikthye ndriçimi publik, qyteti është zhytur sërish në errësirë. "Energjia elektrike prodhohet nga gazi. Por, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, gazi rus nuk mbërrin më si më parë. Prandaj kemi mbetur pa dritë", shpjegon Nikolai, 32 vjeç, teksa ecën në rrugët e qytetit.
Moska propozoi shndërrimin e Moldavisë në një republikë federale, të përbërë nga Moldavia, Transnistria dhe Gagauzia. Sipas kësaj ideje, dy rajonet me orientim pro-rus do të mund të organizonin referendume për pavarësi nëse vendi do të bashkohej Bashkimit Evropian, objektiv që Kishinau synon ta realizojë deri në vitin 2030. Por propozimi u hodh poshtë nga kryetari i parlamentit moldav, Igor Grosu.
Në maj, Putini nënshkroi një dekret që lehtëson pajisjen me shtetësi ruse të banorëve të Transnistrisë, një popullsi prej rreth 350.000 banorësh. Paralelisht, Moska autorizoi përdorimin e forcave të armatosura jashtë vendit për "mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve rusë". Por ish-zëvendëskryeministri moldav Alexandru Flenchea i konsideron propagandë shifrat e aplikimeve për pasaporta ruse.
Gjatë periudhës sovjetike, Transnistria ishte një nga rajonet më të zhvilluara industrialisht të Moldavisë. Sot renditet ndër territoret më të varfra të Evropës. Për dekada, ekonomia e saj mbështetej te gazi rus, i cili furnizohej falas, por u faturohej banorëve me çmime të ulëta, duke mbushur arkat e autoriteteve lokale. Ky sistem u shemb në vitin 2025, pas ndërprerjes së tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës. Furnizimet alternative, përmes rrugëve më të ndërlikuara, e kanë rritur ndjeshëm koston e energjisë.
Deficiti buxhetor, presioni fiskal, emigracioni dhe mbyllja e fabrikave për shkak të sanksioneve evropiane e kanë thelluar krizën. Vetëm gjatë vitit 2025, ekonomia e Transnistrisë u tkurr me 18 përqind. Paradoksi është se, pavarësisht retorikës pro-ruse, rreth 80 përqind e eksporteve të saj përfundojnë sot në Bashkimin Evropian, falë marrëdhënieve ekonomike me Kishinaun dhe marrëveshjes së tregtisë së lirë që Moldavia nënshkroi me Brukselin në vitin 2014.