Përplasje mes Komunës dhe Ministrisë së Ekonomisë për mozaikun e Nënë Terezës
Vendosja e mozaikut kushtuar Nënë Terezës në Prishtinë ka shkaktuar përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për ndalimin e punimeve.

Vendosja e mozaikut kushtuar Nënë Terezës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka shkaktuar përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë. Mozaiku me sipërfaqe prej 33 metrash katrorë ishte parashikuar të vendosej në murin e jashtëm të ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar skandaloze ndërhyrjen e policisë, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka akuzuar Komunën për ndërhyrje të paautorizuar në objektin e saj dhe mosrespektim të vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve. Rama deklaroi se Komuna kishte dhënë lejen e nevojshme për vendosjen e mozaikut dhe se ndërhyrja për ndalimin e punimeve është bërë pa një vendim të publikuar.
Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se kishte qenë ajo që kishte njoftuar Policinë e Kosovës për ndalimin e punimeve, duke theksuar se Komuna kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe kishte shkaktuar dëme materiale. Ministria theksoi se nuk e kundërshton realizimin e veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por mënyrën se si Komuna ka vepruar.