FSHF dënon Partizanin dhe Tiranën me gjoba dhe dëmshpërblime për stadiumin
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka publikuar vendimet e datës 15 tetor 2026, ku vëmendjen kryesore e marrin masat ndaj Partizanit dhe Tiranës pas derbit të kryeqytetit. Të dy klubet janë dënuar me gjoba dhe dëmshpërblime për stadiumin "Air Albania".

Të dy klubet janë dënuar me gjobë për sjelljen e tifozëve gjatë ndeshjes. Sipas vendimit të Komisionit, tifozët e Partizanit kanë ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, si dhe kanë përdorur kore fyese ndaj ekipit dhe tifozerisë kundërshtare. Nga ana tjetër, Tirana është ndëshkuar për hedhjen e sendeve në fushën e lojës dhe përdorimin e koreve fyese ndaj kundërshtarëve.
Por masat financiare nuk përfundojnë me gjobat. Të dy klubet janë urdhëruar gjithashtu të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Air Albania”, sipas aktkonstatimit përkatës, brenda 15 ditëve.
Në vendimet e tjera, FC Dinamo City është dënuar me 50 mijë lekë gjobë për vonesat e përsëritura në fillimin e ndeshjes, në kundërshtim me orarin zyrtar dhe detyrimet e protokollit. Ndërkohë, lojtari i Teutës, Muco Boci, është pezulluar për dy ndeshje për lojë të rëndë ndaj kundërshtarëve.
Me nga 50 mijë lekë gjobë janë dënuar edhe FC Besa, për mosmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, si dhe KF Besëlidhja, për hedhjen e sendeve në fushë, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve dhe zyrtarëve kundërshtarë. Në të dy rastet, gjoba zbatohet në masën 50%, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Një pjesë e konsiderueshme e vendimeve lidhet me futbollin e moshave, ku disa ekipe janë ndëshkuar për braktisjen e ndeshjeve të vlefshme të aktiviteteve rajonale në Tiranë. Për këto raste, Komisioni ka vendosur humbjen e ndeshjeve në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe gjoba të reduktuara sipas nenit 76 të KDE. Në disa raste, përgjegjësia për braktisjen e ndeshjes i është atribuar mospërmbushjes së detyrimeve nga klubet përkatëse.
Sa u përket masave individuale në futbollin e moshave, Daniel Hoxha i FC Drita U-15 është pezulluar për dy ndeshje për lojë të rëndë, ndërsa Orgito Metaj i AF Dajti U-16 është dënuar me katër ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës mund të apelohen brenda tri ditëve pranë Komisionit të Apelit.