Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Evropë për arsimin
Shqipëria ka shpenzime të ulëta për arsimin në krahasim me vendet evropiane, duke i dhënë një hendek në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe ekonomisë.

Në vitin 2015, Shqipëria shpenzonte për arsimin 3.1% të PBB-së, ndërsa dhjetë vjet më vonë ky tregues pothuajse është në vendnumëro, me vetëm 3.2%. Kjo tregon se arsimi nuk ka marrë shtysën financiare të nevojshme për të ndihmuar transformimin ekonomik të vendit.
Përgjatë dekadës së fundit, arsimi u tkurr si sektor, humbi cilësinë referuar rezultateve te PISA në një kohë kur vendet europiane po investojnë në teknologji, aftësi digjitale, inovacion dhe arsim profesional për t’iu përshtatur ndryshimeve të tregut të punës.
Investimet publike në asetet fizike të infrastrukturës zunë mesatarisht mbi 5% të PBB-së përgjatë gjithë dekadës së fundit, por Shqipëria vijon të ketë hendek edhe në këtë drejtim për shkak të mungesës së studimeve të fizibilitetit dhe korrupsionit të lartë të gjetur në shumë projekte.
Kjo politikë buxhetore ka kufizuar mundësitë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, ndërsa ekonomia ka vijuar të mbështetet në sektorë që, në një pjesë të konsiderueshme, krijojnë vende pune me produktivitet dhe paga të ulëta.
Hendeku bëhet më i dukshëm kur financimi i arsimit krahasohet me vendet e Bashkimit Europian dhe Rajonin. Sipas Eurostat, shpenzimet e qeverive të vendeve të BE-së për arsimin arritën në rreth 860 miliardë euro në vitin 2024, ose 4.7% të PBB-së së Bashkimit Europian. Në të njëjtin vit, Shqipëria shpenzonte për arsimin vetëm 3.1% të PBB-së, një diferencë prej 1.6 pikësh përqindjeje me mesataren europiane. Për të arritur nivelin mesatar të BE-së, Shqipëria do të duhej të rriste financimin për arsimin me rreth 55% në raport me nivelin e vitit 2024.