Trump: Sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse janë një "turp" dhe shkaktojnë rritje të çmimeve të naftës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sulmuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e quajtur rifillimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse një "turp" dhe duke akuzuar se shkakton rritje të çmimeve të naftës në mbarë botën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nisi një sulm të ri ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e quajtur rifillimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse një “turp”. Trump pohoi se është më e vështirë të bashkëpunosh me Zelensky-n sesa me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa vuri në dyshim qëllimin e vërtetë të Kievit për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Komentet e presidentit amerikan erdhën pas sulmit me dron të Ukrainës në një rafineri në rajonin Ryazan të Rusisë, sulmi i parë në një strukturë energjetike ruse që kur Trump njoftoi të dielën se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një armëpushim energjetik.
“Është për të ardhur keq! Ka kaq shumë objektiva të tjerë”, tha ai, përpara se të fajësonte Zelenskyn për ndikimin e sulmeve në tregun global të energjisë. “E tëra çfarë bën është të rrisë çmimet e naftës në mbarë botën. Zelensky nuk dëshiron vërtet një marrëveshje”, tha presidenti amerikan.
Trump nuk u kufizua vetëm në kritikimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike ruse, por gjithashtu vuri në dyshim gatishmërinë e presidentit ukrainas për të bërë një marrëveshje me Moskën. “Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin”, argumentoi ai, duke shtuar se presidenti ukrainas “nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje. Ai thotë se po, por në realitet nuk po e bënë”.