Paolo Zampolli largohet nga detyra si i dërguar i SHBA-së për partneritetet globale
Paolo Zampolli, një biznesmen italian me lidhje me presidentin amerikan Donald Trump, është larguar nga detyra si i dërguar i posaçëm për partneritetet globale të SHBA-së. Largimi i tij vjen pas raportimeve për mosmarrëveshjet me zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, lidhur me ndarjen e kompetencave dhe respektimin e hierarkisë institucionale.

Zampolli ka shërbyer në detyrë për një vit, por presidenti Trump i kishte zgjatur mandatin me gjashtë muaj të tjerë. Ai ka deklaruar se shërbimi i tij ndaj Trump dhe SHBA-së ishte një nder i madh i jetës së tij dhe se tashmë do të rikthehet në aktivitetin e tij privat.
Zampolli ka pasur prej vitesh lidhje me familjen Trump dhe ka shërbyer në bordin e Qendrës Kennedy gjatë mandatit të parë të Trumpit. Ai ka shërbyer gjithashtu si ambasador i Dominikës pranë Kombeve të Bashkuara.
Një muaj më parë, Zampolli vizitoi Shqipërinë, ku zhvilloi takime të nivelit të lartë dhe vizitoi selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku shprehu mbështetjen amerikane për formimin e shtetit bektashi. Gjatë ushtrimit të detyrës si i dërguar i posaçëm, Zampolli ka promovuar gjithashtu marrëveshje biznesi, për të cilat ka pretenduar se i kishte siguruar administratës amerikane.
Zampolli u përfshi në një tjetër polemikë në fillim të këtij viti, kur propozoi që Italia të zinte vendin e Iranit në Kupën e Botës. Propozimi tërhoqi vëmendje edhe për faktin se Italia, vendi i lindjes së Zampollit, nuk ishte kualifikuar për kompeticionin.