Këshilli Ndërfetar apel për paqe dhe dialog pas protestave në Shqipëri
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka lëshuar një deklaratë për zhvillimet e fundit në vend, duke bërë thirrje për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë për zhvillimet e fundit në vend, duke bërë thirrje për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksojnë se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve duhet të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete dhe transparente, në përputhje me ligjin.
Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë.
Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.
Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.
Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.