Këshilli Ndërfetar apelon për dialog dhe përgjegjësi në mes të protestave
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë thirrje për dialog kombëtar dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe përgjegjshmëri institucionale, pas disa ditësh protestash studentore dhe qytetare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë thirrje për dialog kombëtar dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe përgjegjshmëri institucionale, pas disa ditësh protestash studentore dhe qytetare. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksuan se shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve duhet të trajtohen me seriozitet dhe se institucioneve u kërkojnë përgjigje konkrete dhe transparente ndaj kërkesave të tyre.
“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, thuhet në deklaratë. Këshilli Ndërfetar theksoi se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, por paralajmëroi se pakënaqësitë qytetare nuk mund të justifikojnë dhunën, shkatërrimin e pronës apo cenimin e të drejtave të të tjerëve.
Duke iu referuar dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, përfaqësuesit fetarë shprehën shqetësim për sulmet ndaj bizneseve, institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike. “Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare”, thekson deklarata.
Këshilli u kërkoi të gjitha palëve të shmangin retorikën përçarëse dhe ta shohin dialogun si rrugën për zgjidhjen e krizës. “Vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, thuhet në deklaratë. “Qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet”, përfundon apeli i Këshillit Ndërfetar.