Zbulim 2600-vjeçar në Strugë: Maskë ari dhe 61 artefakte që zbuluan historinë e ilirëve
Arkeologët kanë zbuluar një varr monumental në Koroshishtë të Strugës, që daton nga 2600 vjet më parë. Brenda varrit janë gjetur 61 artefakte, duke përfshirë një helmetë, armë, mburojë bronzi, enë të ndryshme dhe një fletë ari që mund të ketë shërbyer për mbulimin e fytyrës së të ndjerit.

Një varr antik, 61 artefakte dhe një histori që na çon 2600 vjet pas në kohë. Në Koroshishtë të Strugës, arkeologët kanë zbuluar një varr monumental, që mendohet se i përkiste një luftëtari me status të lartë ushtarak ose një personi me pushtet në fisin ilir të Enkelejve. Brenda varrit, të ndërtuar me pllaka guri, janë gjetur objekte që dëshmojnë pasurinë dhe statusin e të ndjerit: një helmetë, armë, mburojë bronzi, enë të ndryshme, monedha, unaza ari, objekte qelibari dhe rruaza kristali.
Por një prej gjetjeve më të veçanta është një fletë ari, e zbuluar pranë helmetës, e cila mund të ketë shërbyer për mbulimin e fytyrës së të ndjerit, duke krijuar mundësinë e një maske funerare. Ky është varri i dytë antik i zbuluar në të njëjtën zonë. Në vitin 2024, vetëm pak metra larg, arkeologët zbuluan një varr tjetër të pasur, me 108 artefakte, mes tyre edhe një helmetë të tipit korinthas.
A mund të kenë qenë këta dy luftëtarë pjesëtarë të së njëjtës familje? Arkeologët shpresojnë që analizat e ADN-së të ndihmojnë në zbulimin e një lidhjeje të mundshme gjaku mes tyre. Gjurmët e gjetura hedhin dritë mbi fisin e Enkelejve, një prej fiseve të rëndësishme ilire, që lidhet me hapësirën e Ohrit, Strugës dhe zonave përreth. Ari dhe qelibari, ndër materialet e zbuluara, ngrenë gjithashtu pyetje për rrjetet tregtare dhe kontaktet e tyre me botën e lashtë.
Por pas këtyre zbulimeve fshihet edhe një histori tjetër: ajo e arkeologut shqiptar Fitni Dalipi, i cili thotë se, pavarësisht diplomimit që në vitin 1984 dhe dekadave të përvojës në terren, nuk ka arritur të punësohet në një institucion publik.
Në një lidhje direkte, Dalipi rrëfen rëndësinë e zbulimeve në Koroshishtë, misteret që ende presin të zgjidhen dhe sfidat e një jete kushtuar arkeologjisë. Çfarë sekretesh të tjera mund të fshehë toka e Strugës? Dhe a do të zbulojnë kërkimet e ardhshme më shumë për pasurinë, pushtetin dhe lidhjet familjare të Enkelejve?