Shpërthim me eksploziv në optikën e Petrit Rroshit në Krujë, dëme të mëdha në dyqan dhe bizneset përreth
Shpërthim me eksploziv në një optikë në Krujë, dëme të mëdha në dyqan dhe bizneset përreth.

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar rreth orës 02:00 pas mesnate në qytetin e Krujës. Objektiv i sulmit ka qenë një dyqan optike në pronësi të okulistit pensionist Petrit Rroshi. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në ambientet e dyqanit, por edhe në disa banesa e biznese përreth. Dëmtime ka pësuar edhe Njësia Vendore e Shërbimit të Kujdesit ndaj Shëndetit, e cila ndodhet ngjitur me optikën ku u vendos lënda plasëse.
Paraprakisht, dyshohet se sulmi mund të jetë një mesazh ndaj një kompanie, pasi vetëm tri ditë më parë një ngjarje e ngjashme u regjistrua në Fier, ku u sulmua me eksploziv një tjetër dyqan i së njëjtës kompani.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonën përreth. Nga pamjet paraprake, dyshohet se një person i maskuar është afruar në këmbë, ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar sërish në këmbë. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të sulmit.