"Policia e Shtetit: 127 arrestime dhe 244 procedime gjatë protestave në Tiranë dhe nëpër vend"
Protestat e dhunshme në Tiranë dhe nëpër vend kanë rezultuar në 127 arrestime dhe 244 procedime penale. Policët kanë dëmtuar 120 punonjësë policie në disa qytete të vendit.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, ka bërë me dije se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit. Nga dhuna e ushtruar ndaj efektivëve janë dëmtuar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit. Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.
Në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike. Në Durrës, janë arrestuar në flagrancë 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore, pronave publike dhe private.
Në Korçë, janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, për kundërshtim dhe dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe për shkatërrimin, me sende të forta dhe me zjarr, të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike. Në Vlorë, janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtim të punonjësve të Policisë, goditje me sende të forta të fasadës së një institucioni, si dhe dëmtimin e pronës publike.
Në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike dhe private. Gjatë protestës u plagos rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.
Në Elbasan, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, për dëmtimin e xhamave të godinës së një institucioni shtetëror, të sinjalistikës rrugore dhe të tabelave të reklamave, dhe pronës publike. Në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për dëmtimin të sinjalistikës rrugore, tabelave dhe reklamave.
Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie.
Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Policia e Shtetit gjen sërish rastin, të vijojë apelet e bëra gjatë këtyre ditëve, për qytetarët pjesëmarrës në protesta që të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit.