Enkileda Çarja, tri medalje në Evropianin e peshëngritjes për të rinj në Durrës
Sportistja shqiptare Enkileda Çarja ka fituar tri medalje në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj dhe U23 në Durrës.

Në disiplinën e shkëputjes, Çarja e nisi garën me sukses, duke realizuar provën e parë me 98 kilogramë. Pas një tentative të pasuksesshme në 100 kilogramë, ajo u rikthye fuqishëm në provën e tretë, duke ngritur me sukses 101 kilogramë dhe duke siguruar medaljen e bronztë.
Në disiplinën e shtytjes, Çarja tregoi forcë, vendosmëri dhe një formë të shkëlqyer sportive. Pas provës së suksesshme me 118 kilogramë, ajo realizoi edhe 120 kilogramë, përpara se të arrinte kulmin me ngritjen e 123 kilogramëve në provën finale.
Kjo paraqitje e jashtëzakonshme i siguroi Enkileda Çarjës dy medalje argjendi në shtytje dhe dygarësh, si dhe medaljen e bronztë në shkëputje, duke e kthyer paraqitjen e saj në një tjetër sukses të rëndësishëm për sportin shqiptar.
“Jam shumë e lumtur për rezultatin se është bërë një punë shumë e madhe. Kam sakrifikuar jashtëzakonisht shumë sepse s’ka patur ditë që s’kam ndjerë dhimbje gjatë përgatitjeve. Megjithatë dhash maksimumin dhe arrita ta bëja krenare Shqipërinë. I falenderoj shumë të gjithë ata që më mbështeten dhe them se me besim arrihet çdo gjë,”-u shpreh peshëngritësja Enkileda Carja.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, tha se Çarja vjen pas një dëmtimi shumë serioz, por si një sportiste e talentuar, tregoi se ka një shpirt të jashtëzakonshëm gare. Kjo falë një pune serioze.