Pezullohen dy efektivë policie për tejkalim kompetencash gjatë protestave në Shqipëri
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka konfirmuar pezullimin e dy punonjësve të Policisë shtetërore për tejkalim kompetencash gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të zhvilluara prej katër ditësh në disa qytete të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë. Përmes një deklarate, Demo bëri të ditur se ka kërkuar verifikimin e dy rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga efektivët e Policisë shtetërore, ndërsa konfirmoi pezullimin e dy punonjësve.
Ministri theksoi se çdo shkelje e ligjit do të hetohet dhe ndëshkohet, duke kërkuar njëkohësisht që reagimi i policisë të jetë në përputhje me ligjin. "Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë shtetërore, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme," tha Demo.
Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Demo kërkoi që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kërkoi hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. "Profesionalizmi i Policisë shtetërore matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari," tha ministri.
Demo gjithashtu bëri një apel për prindërit e minorenëve të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme, duke u kërkuar që të flasin me fëmijët dhe të mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë. "Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!" tha ministri.