Gjykata pezullon punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pezulluar punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, duke pranuar kërkesën për sigurimin e padisë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pezulluar punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, duke pranuar kërkesën për sigurimin e padisë. Vendimi është bërë i ditur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit, të cilët përmes një reagimi publik bëjnë me dije se vendimi ka fuqi të menjëhershme dhe do të jetë në fuqi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjyqësore.
Përfaqësuesit e nismës theksojnë se kujtesa e hebrenjve të Vlorës dhe kontributi i familjeve vlonjate që i strehuan e i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e rëndësishme e historisë, por vlerësimi i kësaj historie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera. Ata falënderojnë 1.034 qytetarët që kanë firmosur peticionin, si dhe personat që iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar ndërhyrjet pranë monumentit.
Beteja ligjore do të vazhdojë, me synimin për të garantuar transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vlorës.