Alarmi i gabuar për tërmet në Japoni, çoi në panik dhe ndërprerje në transportin publik
Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim gabimisht për një tërmet me magnitudë 9.9, duke shkaktuar panik dhe ndërprerje në transportin publik.

Alarmi i gabuar u tërhoq disa minuta më vonë, me autoritetet që kërkuan falje publikisht për shqetësimin dhe problemet e shkaktuara. Incidenti ndodhi dje, kur Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) njoftoi fillimisht se një tërmet i fuqishëm me magnitudë 9.9 ishte regjistruar pranë Ishujve Kurile. Megjithatë, vlerësimi fillestar doli të ishte i pasaktë. Pak më vonë, agjencia bëri një korrigjim, duke sqaruar se tërmeti kishte një magnitudë 6.9 dhe ndodhi pak pas mesditës pranë Gadishullit Kamchatka në Rusi. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, problemi ndodhi gjatë llogaritjes së vendndodhjes së epiqendrës. Në mënyrë specifike, sistemi vlerësoi gabimisht se epiqendra ishte rreth 680 kilometra më larg nga Japonia sesa vendndodhja e saj aktuale. Ky supozim i gabuar ndikoi në llogaritjen e magnitudës së tërmetit, duke rezultuar në lëshimin e paralajmërimit për tërmet me magnitudë 9.9 ballë. Edhe pse alarmi u korrigjua brenda pak minutash dhe nuk u regjistrua panik i përhapur, aktivizimi i sistemit të emergjencës shkaktoi ndërprerje të përkohshme në transportin publik. Pas incidentit, JMA lëshoi një ndjesë publike, duke pranuar ndërprerjen e shkaktuar nga paralajmërimi i gabuar. “Ne kërkojmë ndjesë sinqerisht për shqetësimin e konsiderueshëm të shkaktuar ndaj publikut”, u tha gazetarëve zyrtari i agjencisë Shinya Tsukada. Incidenti theksoi rëndësinë e saktësisë së sistemeve të automatizuara të paralajmërimit për tërmete, të cilat në Japoni janë një mekanizëm kyç për mbrojtjen e popullsisë në rastet e tërmeteve të forta.