Rusia dhe talibanët po afrohen gjithnjë e më shumë, çfarë përfiton secila palë?
Ministri i Brendshëm i Rusisë, Vladimir Kolokoltsev, ka vizituar Pakistanin për të vënë në pah shqetësimet e Rusisë për sigurinë rajonale në krahun e saj jugor. Vizita e Kolokoltsevit vjen pak ditë pas një takimi të Konsultimeve të Formatit të Moskës për Afganistanin, ku marrin pjesë edhe Rusia, Kina, India dhe Irani. Rusia po i thellon marrëdhëniet diplomatike me Kabulin, me shpresën për ta vënë nën kontroll IS-K, një degë e grupit ekstremist Shteti Islamik.

Vizita e Kolokoltsevit vjen pak ditë pas një takimi të Konsultimeve të Formatit të Moskës për Afganistanin, ku marrin pjesë edhe Rusia, Kina, India dhe Irani. Në këtë takim, përfaqësuesit pakistanezë dhe ata të talibanëve u përplasën lidhur me akuzat se vendet e tyre mbështesin militantë që mund të kërcënojnë stabilitetin shumë përtej kufijve të tyre.
Deklaratat zyrtare nga Islamabadi dhe Moska kanë theksuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por analistët thonë se vizita katërditore e Kolokoltsevit lidhet më shumë me frikën e Rusisë për praninë në rajon të Provincës Khorasan të Shtetit Islamik (IS-K), një degë e grupit Shteti Islamik e njohur për sulme të bujshme.
Ndërsa Moska po i thellon marrëdhëniet diplomatike me Kabulin, me shpresën për ta vënë nën kontroll IS-K, një degë e grupit ekstremist Shteti Islamik, autoritetet talibane synojnë të sigurojnë pajisje ushtarake ruse, përfshirë dronë, për të krijuar një kundërpeshë ndaj aleatit të tyre të dikurshëm, Pakistanit.
Qëndrimi gjithnjë e më i hapur i Moskës ndaj talibanëve ka nxitur kritika të gjera ndërkombëtare për kufizimet gjithëpërfshirëse që grupi u ka vendosur të drejtave të grave dhe për trajtimin e ashpër të kundërshtarëve politikë.
“Ngrohja e marrëdhënieve mes Moskës dhe Kabulit nuk përbën një aleancë të re, por një riorganizim rajonal me disa shtresa”, tha Omar Samad, studiues i lartë në Këshillin Atlantik, i cili shërbeu edhe si ambasador i Afganistanit në Kanada dhe Francë nën administratën e mëparshme.
Rusia siguron një zonë tampon afgane me kosto të ulët, në krahun e cenueshëm të Azisë Qendrore, duke i ofruar ndihmë më të drejtpërdrejtë forcave talibane për të kundërshtuar kërcënimet nga Shteti Islamik-Khorasan, dega rajonale e Shtetit Islamik dhe rivalja ideologjike e talibanëve.