Ish-zv.ministri Muka: Ministria e Arsimit është “Ministria e Plagjiaturës”
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka akuzuar qeverinë dhe sistemin arsimor për promovimin e plagjiaturës, duke e cilësuar Ministri e Arsimit si “Ministria e Plagjiaturës”. Ai pretendon se nuk u morën masa kur ai denonconte plagjiaturat dhe se qeveria është më shumë i interesuar për “like”-t dhe sharjet në rrjetet sociale sesa për studentët.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka marrë pjesë në protestën para Ministrisë së Arsimit, ku ka akuzuar qeverinë dhe sistemin arsimor për promovimin e personave që, sipas tij, kanë kryer plagjiaturë. Muka e cilësoi institucionin si “Ministria e Plagjiaturës”, duke deklaruar se prindërit janë gjithashtu pjesë e protestës, pasi kanë lënë fëmijët e tyre të protestojnë për të ardhmen. Ai kujtoi edhe denoncimet e tij të mëparshme për plagjiaturat, duke pretenduar se nuk ishin marrë masa në kohën kur i kishte ngritur këto shqetësime. Muka komentoi gjithashtu qëndrimin e ministres ndaj studentëve dhe protestave, ndërsa në fund të fjalës së tij lëshoi akuza ndaj kryeministrit. “Kjo është Ministria e Plagjiaturës. S’ka kopjac dhe hajdut që nuk ka lënë pa promovuar ky sistem. Prindërit, në një farë mënyre, janë këtu, sepse kanë lënë fëmijët e tyre që të protestojnë. Qeveria i kishte vënë zjarrin shtetit. Ishte shtet që kishte poste, por jo letra. Ministrja shqetësohej për ‘like’-t dhe sharjet, dhe jo për studentët. Kur unë zbulova plagjiaturat, nuk donte të merrte masa. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe SPAK sot. Goditja më e fortë që ka qenë është takimi i parë me qeverinë. Dolën tabelat me sharje dhe ‘like’-t që marrin në rrjetet sociale. Dje i ishte trashur gjuha nga medikamentet antipanik, pasi nuk shqiptonte dot TH dhe DH. Ditët dhe orët e tij janë të numëruara. Rinia është zemra dhe shpirti i këtij kombi”, u shpreh Taulant Muka nga protesta.