LIVE/ Dita e pestë e protestës: Molotovë dhe gurë kundër policisë, situata përshkallëzohet te Ministria e Arsimit
Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe gurë kundër policisë në qendër të Tiranës, ndërsa situata përshkallëzohet te Ministria e Arsimit.

Sot mbahet dita e pestë e protestave që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit. Vëmendja është përqendruar sërish te Ministria e Arsimit, aty ku protestuesit kanë paralajmëruar grumbullimin e tyre, ndërsa pritet që në këtë mobilizim t’u bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora.
Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve në kryeqytet. Në terren janë pozicionuar forcat e policisë, ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit janë vendosur edhe autobotet, në kuadër të masave të marra për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, godina e Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e dëmtuar nga incidentet e ditëve të mëparshme. Protestat nisën të martën, fillimisht me bojkotimin e mësimit nga nxënës dhe studentë, por më pas u përshkallëzuan, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Protestuesit shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të revoltës janë edhe akuzat për korrupsion dhe kërkesat për ndryshime në arsim.