Bllokohen mbi 1 ton produkte deti të padeklaruara në Kakavijë
Autoritetet doganore kanë bllokuar mbi 1 ton produkte deti të ngrira të padeklaruara gjatë një operacioni kontrolli në bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Degës Doganore Vlorë.
Një mjet transporti është selektuar dhe mbajtur nën mbikëqyrje nga Zyra e Monitorimit, që në momentin e hyrjes në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë. Nga kontrolli i ngarkesës ka rezultuar se mjeti transportonte një sasi prej mbi 1,000 kg më shumë se sa deklarimi zyrtar produkte deti të ngrira (konkretisht +700 kg kallamar dhe +336 kg skampi). Pas bllokimit të sasisë së mallit, autoritetet doganore po ndjekin procedurat e mëtejshme ligjore e administrative ndaj subjektit përgjegjës lidhur me detyrimin doganor të munguar. Strukturat e Administratës Doganore mbeten të përkushtuara maksimalisht në luftën kundër kontrabandës, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit.