TIRANA NË KAOSET: Policë përdor plumba gome ndaj protestuesve
Protestat në Tiranë së shtunën e kaluar u përshkallëzuan në dhunë dhe tërmete, pasi policia përdori plumba gome ndaj demonstruesve. Mijëra të rinj u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.

Tirana u përfshi të shtunën nga një tjetër ditë përplasjesh të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa revolta e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama hyri në ditën e pestë, e shoqëruar me përdorimin masiv të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe, për herë të parë, plumbave të gomës.
Mijëra të rinj u mblodhën fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në qeverisjen e vendit. Tensionet u përshkallëzuan pasi grupe protestuesish hodhën gurë dhe sende të forta drejt policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Përplasjet u zhvendosën gjatë ditës përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në afërsi të Kryeministrisë, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit në një arenë përleshjesh mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Përdorimi i plumbave të gomës shënoi një përshkallëzim të ri të dhunës policore dhe ngriti pikëpyetje mbi proporcionalitetin e forcës së përdorur ndaj protestuesve. Pamjet dhe raportimet nga terreni dokumentuan demonstrues të goditur në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa gazetarët e BIRN gjetën predha gome në bulevard.
Nga ndërhyrja policore u goditën edhe punonjës të medias që po mbulonin protestën. Në një konferencë për shtyp pasditen e së shtunës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pranoi përdorimin e plumbave të gomës, por këmbënguli se ndërhyrja kishte qenë e kufizuar dhe në përputhje me procedurat.
Përshkallëzimi i dhunës nxiti edhe reagimin e arqipeshkvit metropolit të Shkodër-Pultit, Giovanni Peragine, i cili u bëri thirrje autoriteteve të dëgjojnë pakënaqësinë qytetare dhe të marrin përgjegjësi politike për krizën. Në një mesazh të publikuar në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës, Peragine vlerësoi se protestat pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë shoqërore, e cila nuk mund të shpërfillet ose të trajtohet vetëm si çështje e rendit publik.
Protestat tërhoqën gjithashtu vëmendjen e politikanëve amerikanë. Kongresmeni republikan Joe Wilson shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e krizës dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të përmbahet nga përdorimi i dhunës ndaj demonstruesve. “Populli shqiptar meriton liri, sundimin e ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë një zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, shtoi ai.
Një qëndrim më të drejtpërdrejtë për zgjidhjen politike të krizës mbajti Elez Biberaj, ish-drejtues i Zërit të Amerikës dhe njohës i zhvillimeve politike në Shqipëri, i cili e cilësoi situatën si krizën më të rëndë të 13 viteve të qeverisjes së Ramës.