Shqipëria nuk ka shfrytëzuar plotësisht potencialin e rritjes ekonomike
Shqipëria ka shënuar një rritje mesatare ekonomike prej 4,4% në vit gjatë periudhës 2000-2024, por ekonomia shqiptare nuk ka shfrytëzuar plotësisht potencialin për të ngushtuar hendekun e zhvillimit me Bashkimin Europian.

Shqipëria renditet në mesin e ekonomive europiane me nivelin më të ulët fillestar të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vitin 2000. Megjithatë, gjatë 24 viteve pasuese, ritmi i rritjes ekonomike nuk ka qenë mjaftueshëm i lartë për të realizuar plotësisht potencialin e afrimit me vendet më të zhvilluara.
Sipas grafikut, Shqipëria pozicionohet poshtë vijës që përfaqëson marrëdhënien mes nivelit fillestar të të ardhurave dhe rritjes mesatare ekonomike. Kjo sugjeron se, duke marrë parasysh nivelin e ulët nga i cili u nis, ekonomia shqiptare mund të kishte regjistruar një rritje më të shpejtë.
Krahasimi me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore është veçanërisht domethënës. Lituania, e cila kishte një PBB për frymë më të lartë se Shqipëria në vitin 2000, arriti një rritje mesatare vjetore prej rreth 4,6%, duke tejkaluar ritmin prej 4,4% të Shqipërisë.
Edhe Rumania dhe Bullgaria, që u anëtarësuan në Bashkimin Europian në vitin 2007, regjistruan ritme të larta rritjeje, përkatësisht rreth 4,2% dhe 4,1% në vit, pavarësisht se kishin një nivel fillestar të zhvillimit më të lartë se Shqipëria. Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka pasur një nga ritmet më të larta të rritjes gjatë periudhës së analizuar. Serbia regjistroi mesatarisht rreth 3,7% në vit, Kosova 3,5%, Bosnjë-Hercegovina 3,4%, Maqedonia e Veriut 2,9% dhe Mali i Zi 2,8%.
Megjithatë, performanca relativisht më e mirë e Shqipërisë kundrejt vendeve të rajonit nuk ka mjaftuar për të kompensuar diferencën e madhe të zhvillimit me ekonomitë e BE-së. Kjo është një nga gjetjet që ilustron grafiku i FMN-së, ku vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia pozicionohen pergjithësisht poshtë marrëdhënies së pritshme mes nivelit fillestar të të ardhurave dhe rritjes ekonomike.
Në raportin Perspektiva Ekonomike Rajonale: Europa, FMN thekson se modeli i rritjes së Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore ka përfituar ndjeshëm nga integrimi europian, rritja e produktivitetit dhe akumulimi i kapitalit. Por qëndrueshmëria e këtij modeli po vihet në provë nga dobësimi i eksporteve industriale, rritja e pagave më shpejt se produktiviteti, vlerësimi i kursit real efektiv të këmbimit, ulja e investimeve të huaja direkte dhe konkurrenca më e forte ndërkombëtare.
Sipas FMN-së, këto zhvillime po shfaqen jo vetëm në Europën Qendrore dhe vendet baltike, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Për të ringjallur procesin e konvergjencës, ekonomitë e rajonit duhet të mbështeten më pak te avantazhi i kostove të ulëta dhe faktoret e jashtëm, duke u orientuar drejt inovacionit dhe rritjes së produktivitetit.