Transportuesi i armëve zjarri në taksi, arrestohet në flagrancë
Një 30-vjeçar u arrestua në flagrancë për transportimin e armëve zjarri në një taksi në Dibër.

Shërbimet e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksia”. Në këtë operacion u arrestua në flagrancë një 30-vjeçar, banues në Durrës, për transportimin e armëve zjarri në një taksi. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin taksi, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë dhe një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole dhe një fishek në krehër. Armët dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se 30-vjeçari i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim transportimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.