Arrestohet 26-vjeçari në Shkodër për prodhim dhe shitje droge
Një operacion policor i koduar "Last Travel" rezultoi në kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në Shkodër. 26-vjeçari ishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Last Travel”. Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe u arrestua shtetasi R. Gj., 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. 26-vjeçari u lokalizua dhe u kap teksa tentonte të largohej me një automjet me të cilin udhëtonin edhe shtetasit P. P. dhe O. S. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan edhe shtetasit P. P. dhe O. S., të dy banues në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se ndihmonin shtetasin R. Gj. për t’iu shmangur kapjes nga shërbimet e Policisë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.